Ndalohen mjetet mbi 3.5 ton në Urën e Digës Çengelaj, Bashkia Peqin ndërhyn për sigurinë

Peqin, 6 shkurt 2026 – Qarkullimi i mjeteve të rënda mbi 3.5 ton është pezulluar me efekt të menjëhershëm në Urën e Digës Çengelaj mbi lumin Shkumbin, pas një vendimi të Bashkisë Peqin që synon parandalimin e rreziqeve për sigurinë publike.

Urdhëresa nr. 57, e firmosur nga kryetari Bukurosh Maçi, bazohet në legjislacionin për vetëqeverisjen vendore dhe Kodin Rrugor, ndërsa vjen pas një raporti teknik të Institutit të Ndërtimit që evidenton probleme në strukturën aktuale të urës dhe rekomandon ndalimin e menjëhershëm të mjeteve me tonazh të lartë.

Në bashkëpunim me Policinë e Peqinit do të vendosen kufizues fizikë në hyrje dhe dalje të urës për të bllokuar kalimin e automjeteve të rënda, ndërsa Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe gjendjen e objektit.

Edhe pse masa konsiderohet e përkohshme, ajo ka sjellë vështirësi për banorët dhe bizneset e zonës për shkak të rritjes së kostove të transportit. Autoritetet lokale bëjnë të ditur se po punohet për sigurimin e fondeve për ndërtimin e një ure të re dhe për hartimin e projektit të rikonstruksionit të plotë të Digës Çengelaj.