Ndahet nga jeta në moshën 76-vjeçare, mjekja dhe aktivistja Flora Brovina

Flora Brovina është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Ajo ishte mjeke pediatre, poete dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve në Kosovë.

Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Flora Brovina ishte një nga figurat kryesore në organizimin e ndihmës për civilët dhe viktimat e dhunës. Ajo themeloi dhe drejtoi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, e cila ofronte ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës seksuale dhe të të drejtave të njeriut.

Në vitin 1999, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, Brovina u arrestua nga autoritetet serbe dhe u dënua me 12 vjet burg për “aktivitet terrorist”. Ajo u lirua më 1 nëntor 2000, pas ndërhyrjes ndërkombëtare dhe largimit të forcave serbe nga Kosova.

Pas luftës, Flora Brovina vazhdoi angazhimin e saj në politikë dhe shoqëri. Ajo u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës në vitin 2001, u bë anëtare e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në qershor 2002 dhe e kryesisë së partisë në tetor 2006. Ajo u rizgjodh në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të viteve 2004, 2007 dhe 2010, duke qenë vazhdimisht aktive në promovimin e të drejtave të grave dhe fëmijëve, si dhe në proceset e shtetndërtimit në Kosovë.