
Në Detin Baltik ka nisur një prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake të NATO-s.
Stërvitjet përfshijnë 14 shtete, mes tyre edhe dy vendet aspiruese për t’u bërë anëtare të bllokut, Suedia dhe Finlanda.
Stërvitjet e planifikuara për t’u mbajtur deri në 3 qershor në Estoni, u organizuan që përpara se të niste lufta në Ukrainë.
NATO ka thënë se qëllimi i stërvitjeve është rritja e gatishmërisë dhe ndërveprimit të forcave të saj dhe se manovrat ushtarake nuk kanë lidhje me konfliktin në Ukrainë, megjithëse ato po zhvillohen 64 kilometra larg kufirit të Rusisë.
Rreth 15,000 trupa janë të përfshira në stërvitjet në Estoni, duke e bërë atë një nga më të mëdhatë në vend që nga viti 1991.
Agresioni rus në Ukrainë ka bindur qeveritë në rajonin baltik se duhet të forcojnë seriozisht mbrojtjen e tyre në mënyrë që të pengojnë presidentin Putin nga përshkallëzimi i mëtejshëm i agresionit ushtarak.
Krahas Estonisë, stërvitje të tjera të NATO-s po mbahen në Poloni, Maqedoninë e Veriut dhe Lituani.
Stërvitjet e Aleancës vijnë në një kohë delikate, ndërsa dy vendet nordike Finlanda dhe Suedia paraqitën kërkesën zyrtare për anëtarësim në NATO, e cila u pa si një kërcënim për Moskën.
Megjithatë Vladimir Putin ka thënë së fundmi se Rusia nuk ka asnjë problem me Finlandën apo Suedinë, por zgjerimi ushtarak i NATO-s do të merrte një përgjigje.
