Rritja e çmimeve të karburanteve po rëndon direkt mbi xhepat e qytetarëve. Tanimë kompanitë e transportit kanë rritur çmimin e biletave me të paktën 100 lekë. Qytetarët thonë se kostoja e transportit është e papërballueshme ndërkohë që operatorët e transportit theksojnë se janë të detyruar pasi me çmimin e ri të karburanteve nuk dilnin me fitim.
Çmimi i karburanteve në vendin tonë ka arritur në nivelet më të larta historike.
Rritja e çmimeve ka reflektuar direkt tek qytetarët në Fier pasi kompanitë e transporteve kanë rritur edhe biletat.
“Sot filloi rritja e çmimit të biletës me 100 lekë në të gjitha linjat për arsye të rritjes së çmimit të naftës. Është bërë e papërballueshme.”
Sipas udhëtarëve prej disa ditësh çmimi i biletës është shtuar me gati 100 lekë të lekë të reja çka do të thotë një kosto më e lartë në shpenzimet ditore të familjeve.
“Është rëndesë në familje, ku i kemi ne rrogat për të paguar gjithë këto? Një rrogë 300 mijë i mjafton familjarit?”
E njëjta situatë është edhe në Korçë ku çmimi i biletës drejt Tiranës dhe anasjelltas është rritur me 100 lekë. Edhe transporti nga qyteti në fshatra është rritur me 30-50 lekë.
“600 lekë, sot 700 lekë. 100 lekë diferencë.”
“Këtu abuzohet megjithatë ne e hamë.”
Shoferët e autobusëve tregojnë se janë të detyruar për këtë rritje, pasi çmimi i rritur i naftës i ka lënë pa asnjë lloj fitimi.
“Ka qenë 600 lekë bileta, sot po e bëjmë 700 lekë. Arsyeja është rritja e çmimit të naftës.”
Qeveria është distancuar tërësisht nga çdo ndërhyrje në lidhje me rritjen e çmimeve por qytetarët kanë lajmëruar protestë para kryeministrisë të mërkurën në orën 17:00.
