Nga Ahmet MEHMETI
U mbushën dy vjet që në qytetin e Elbasanit po zbatohet projekti “Mushkëri të Gjelbëra për Qytetet Tona”, një platformë alternative dhe monitorimi për cilësinë e ajrit, ndotjen nga zhurmat dhe gjelbërimin urban, për ndikimin e politikave në nivel vendor. Ky projekt zbatohet në kater rrethe, Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Shkodër dhe drejtohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit ne bashkëpunim me Milieukontakt Shqipëri dhe mbështetet financiarisht nga Delegacioni i Bashkimit Europian ne Shqipëri.
Rëndësia e këtij projekti qëndron në faktin se për herë te parë tri çështje të rëndësishme mjedisore merren të integruara dhe në shërbim të njera tjetrës. U shqyrtuan një numër maksimal i parametrave përbërës për çdo temë më vete.
Metodologjia konsistoi në faktin se në një kohë të shkurtër u moren shumë të dhëna/ parametra në terren me instrumente matëse të përshtatëshme.
Të dhënat që rezultuan u vunë lehtësisht në dispozicion të institucioneve si Bashkia Elbasan, Këshilli Bashkiak, Këshilli i Qarkut, Prefektura, ARM, Inspektoriati i Mjedisit, Universiteti, shkollat e mesme e nëntëvjeçare, mediat e ndryshme etj dhe sidomos publiku i interesuar.
Nga praktikat e monitorimit dalën disa mësime shumë të vlefëshme të përgjithëshme si njohja e besueshme dhe e saktë e gjendjes së ndotjes se ajrit, niveli i zhurmave dhe situata e gjelbërimit urban.
Gjithashtu u shtuan mundësitë për të marrë masa konkrete për të ndryshuar gjendjen në përshtatje me realitetin.
Po kështu u rritën komunikimi dhe bashkveprimi konkret me institucionet publike, private dhe publikun e interesuar ne procesin e monitorimit si dhe u krye një punë e madhe me mediat e shkruara dhe vizive.
Në të tri zonat dhe në të gjitha ngastrat e qytetit të Elbasanit ku është përqëndruar projekti për vitin 2019-2021 u bë monitorimi i ajrit për NO2, SO2, VOC, PM2.5, PM10, O3, CO, CO2.
Nga matjet e të dhënave të krahasuara me standardin e BE rezultoi se në zonën A (zona qendrore) gjatë vitit 2019, NO2 në të nëntë ngastrat e monitoruara në shumicën dërrmuese të pikave ishte mbi normat e lejuara. Konkretisht nga 47 pika të matura vetëm në 4 pika ishin brenda standardit kurse në 43 të tjerat rezultoi se ndotja ishte mbi normën e BE. Më konkretisht nga 0.040 që është standardi i BE ne pikat e tjera të dhënat variojnë nga 0.050 deri ne 0.10 për NO2.
Përsa i takon VOC ndotja është në përmasa shumë të larta. Krahasuar me standardin që është 0.500 të dhënat e matura varionin nga 1.90 në 10.10 në të gjitha pikat e në të gjithë teritorin e monitoruar.
Lidhur me gjendjen e ndotjes nga grimcat PM2.5 ne 25 pika shifrat ishin brenda standardit kurse në 22 pikat e tjera e tejkalojne ate dhe variojnë nga 0.03 deri në 0.18. Parametrat më të larta janë konkretisht në pikën A1-7 që është 0.13 dhe në pikën A1-6 që është 0.18.
Më mirë paraqitet gjendja e ndotjes nga grimcat PM10. Kështu nga 47 matje në pika të ndryshme rezulton se në 8 prej tyre tejkalohet norma nga 0.032 në 0.122 duke e krahasuar me normen e BE që është 0.030.
Treguesit e tjerë të ndotjes së ajrit si SO2, CO, CO2 dhe O3 ishin nën standartet kombëtare dhe të BE, pra nuk kishim ndotje të ajrit prej tyre.
Gjatë vitit 2020, në zonën B vetëm në tri ngastra përqëndrimi i NO2 ishte nën standartin e BE (40 mikrogram/m3) dhe në gjithë sipërfaqen e Bashkise EL ishte mbi dy deri tre fish më e lartë. Vlera maksimale shkoi 160 mikrogram/m3 kurse mesatarja 160.
Përsa i përket CO2 vlera mesatare në gjithë sipërfaqen e qytetit shkoi 531.3 ppm nga 350 ppm që është standarti I BE kurse maksimalja shkoi 860 ppm.
Përqëndrimi i CO arriti vlerën maksimale 12 mikrogram/m3, ndërsa vlera mesatare ishte 2.6 mikrogr/m3 në krahasim me standartin e BE që është 10 mikr.gr/m3.
Ozoni O3 në gjithë sipërfaqen arriti vlerën mesatare 84.4 ppm nga 65 ppm që është norma shqiptare dhe dhe 120 ppm norma e BE.
Grimcat PM2.5 në teritorin e Bashkisë arritën mesataren 31 mikrogram/m3 nga standarti i BE prej 25 mikr.gr/m3 si dhe vlerën maksimale prej 180 në një të tretën e sipërfaqes.
Lidhur me PM10 vlera mesatare ishte 39.6 mikrogr/m3 nga 30 e BE dhe 60 e standartit shqiptar. Vlera maksimale ka arritur 174 mikrogr/m3.
Nga sa theksuam më sipër konkludojmë se tejkalimet e standartit të lejuar që vërehen për ndotjen nga NO2 spjegohen me parametrat e ulët të karburanteve që nuk plotsojnë kushtet dhe treguesit e parashikuar me ligj. Një tjetër shkak është përdorimi i automjeteve të vjetëruar si dhe mospërdorimi i pajisjeve për filtrimin e ndotjeve që vinë nga emetimi në ajër i mbetjeve të pa djegura plotësisht. Një shkaktar tjetër është përdorimi i karburanteve fosile të palejuar për djegie nga industria dhe për ngrohje në kaldaja si mazuti, nafta e benzina jashtë standardit. Industria që nuk përdor teknologji sipas standardit si dhe nuk vendos filtrat ndikon në shtimin e ndotjes nga NO2. Një shkaktar tjetër është edhe djegia e biomasës së lagur dhe jashtë rregullave teknike etj.
Kurse ndotja e përmasave shumë të larta nga VOC është pasojë e përdorimit të karburanteve me cilësi shumë të keqe, rrjedhjes së tyre nga pakujdesia dhe nga përdorimi i mjeteve të vjetëruara si dhe nga djegia e biomasës me cilësi të keqe.
Për ndotjen nga grimcat PM2.5 dhe PM120 shkaktarë janë pluhurat e ndotjes urbane nga prishjet dhe ndërtimet, mospastrimi i rrugëve sipas rregullave duke bërë larjen e tyre siç bëhet në vendet fqinje ose ato të BE si dhe nga grimcat që emeton industria prej oxhakëve ku nuk përdoren filtrat.
Kjo gjendje rezulton edhe nga puna e pamjaftueshme që bëhet për monitorimin nga ana e organeve kompetente për zbatimin e ligjit dhe forcimin e sanksioneve e zbatimin e tyre ndaj shkaktarëve të ndotjes industriale, autoriteteve përgjegjëse shtetërore dhe private etj.
Një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon negativisht është edhe moskoordinimi i punës ndërgjegjësuese midis organeve të pushtetit vendor e qendror me shoqërinë civile dhe komunitetin për parandalimin e ndotjes me anën e edukimit, veprimeve të përbashkëta dhe bashkpunimin e vazhdueshëm e sa më cilësor dhe efektiv.
Për shmangien e dobësive dhe të metave që vërehen për pastërtinë e ajrit r e k o m a n d o j m ë : vendosjen e filtrave në objektet industriale, përdorimin e karburanteve cilësore dhe mospërdorimin e atyre të ndaluar, ndalimin dhe heqjen nga përdorimi të automjeteve të vjetra, pëdorimin e biomasës sipas standardeve teknike për djegie (dru të thata dhe jo të sapoprera në pyll) etj. Mbajtjes pastër të ajrit do t’i shërbente krijimi i një sistemi rrugor brenda normave bashkohore dhe mirëmbajtja e pastrami i tyre me larje. Po kështu caktimi në vende të posaçme dhe trajtimi racional i mbetjeve urbane dhe të ndertimit. Në kushtet aktuale rëndësi të veçantë ka zbatimi i ligjit, forcimi i sanksioneve dhe zbatimi i tyre. Rëndësi shume të madhe ka sot bashkpunimi i organeve të pushtetit vendor e qendror me shoqërine civile dhe komunitetin për ndërgjegjësimin dhe nxitjen në veprimtari të përbashkëta për mbajtjen e ajrit në parametrat e Bashkimit Europian.
Përsa i takon ndotjes nga zhurmat në kuadër të projektit ”Mushkëri të gjelbëra për qytetet tona “ gjate kesaj periudhe nga ana e grupit të punës për qytetin e Elbsanit u realizuan matjet e zhurmave në të tria zonat, në një numër shumë të madh pikash të qytetit . Ato u realizuan paradite dhe mbas dite sipas metodikave të miratuara.
Matjet u bënë në mungesë të ndryshimeve të rreshjeve, mjegulles dhe/ose borës; shpejtësia e erës nuk e kalonte vlerën 5 m/s.; mikrofoni ishte i mbrojtur me kufje anti-erë. Zinxhiri i matjeve ishte në përputhje me kushtet meterologjike të periudhës në të cilën u bënë matjet.
Kryesisht pikat më te nxehta jane : akset kryesore te rrugeve dhe kryqezimet e rrugeve. Kjo gje vihet re edhe në oret e pasdites ku aksi kryesor dhe kryqezimet e këtyra akseve janë më të ngarkuara. Keshtu aksi A3-1 deri ne aksin A5-3 eshte i ngarkuar si ne mengjez ashtu dhe në darkë, ku niveli bie vetëm në darkë në akset A5-1 , A5-3 e njejta gjë thuhet dhe për aksin A6-1 deri A9-4 dhe A1-1, A2-7 ku vetëm në darkë ka një rënie të vlerës në akset A2-2, A2-3 dhe A2-5, A2-7.
E përgjithëshme rezulton: gjate orëve te paradites dhe mbas dite, niveli minimal dhe maksimal në të gjitha pikat i tejkalon vlerat kufi të përcaktuara të Udhëzimit Nr.8, date 27.11.2007 të MMPAU dhe MSH “ PER NIVELET KUFI TE ZHURMAVE NE MJEDISE TE CAKTUARA” . Vlerat mesatare të nivelit të zhurmave (2019-2021) janë më të larta se standarti i BE-së dhe Ligjit Shqiptar si per periudhën e ditës ashtu edhe për ate të natës sidomos në zonën qendrore, nga Sheshi Valmi në Sheshin Elbasan Arena ku gëlojnë automjetet dhe lokalet zhurmuese/muzika e larte si dhe periferia në unazën jug-lindore dhe jug-perendimore. Vlera mesatare shkon 52.2 dB kurse maksimalja 71.2 dB nga 55 dB e BE.
Kryesisht zhurmat vijnë nga qarkullim i makinave (transporti). Vërehet nje fluks i madh i automjeteve. Ky fluks është rrjedhojë e amullisë së krijuar në kryqëzime si nga sasia e madhe e automjeteve dhe nga mos funksionimi i sinjalistikës në shumicën e nyjeve.
Njëkohësisht ne kemi konstatuar: gjendja motorrike e automjeteve në qarkullim le shume për te dëshiruar, mosha e vjeter e tyre sjell uljen e parametrave optimale të çertifikatës teknike të automjetit lidhur me emetimin e zhurmës.
Po kështu mungesa e theksuar e vendparkimeve të përkohshme apo te përhershme është një tjetër faktor i cili ndikon në rritjen e niveleve të ndotjes nga zhurmat.
Edhe mungesa e rrugëve dytësore , të cilat do të ulnin ndjeshëm përqëndrimin në akset kryesore sjell dhe mbingarkesën në këto akse dhe rrjedhimisht rrit nivelin e zhurmave.
Nuk ka një raport të drejtë të qarkullimt të makinave në rrugë të ndryshme. Ka rrugë qe kanë mbingarkesë të qarkullimit. Po ashtu në raste të veçanta zhurmat krijohen nga dhënia e makinave dhe e mjeteve të tjera motorrike me shpejtësi të madhe, sidomos nga te rinjtë.
Masat për zvogëlimin e impaktit të zhurmës në mjedisin urban të qyteti tone duhet të kenë përparësi të madhe.
Për shmangien e zhurmave rekomandojme: edukimi i publikut është kërkesa më e rëndësishme e shoqërisë. Programet e ndërhyrjes për zvogëlimin e zhurmës mund të mos kenë sukses pa pjesëmarrjen e popullatës. Duhen përdorur mjetet moderne të komunikimit për të gjeneruar ndërgjegjësim masiv ndaj ndikimit negativ të ndotjes nga zhurma. Të sigurohet kontrolli periodik i mjeteve të transportit që gjenerojnë zhurmë. Të parashikohen ndërhyrjet në sinjalistikën rrugore, ku të përfshihen në të sinjalet që lidhen me zhurmat si dhe vendosjen e tyre në pika të caktuara. Të përmirësohet qeverisja urbane, nëpërmjet rritjes së transparencës dhe llogaridhënies për zbatimin e suksesshëm të të gjitha politikave të menaxhimit dhe planizimit urban.Të promovohen sigurimi i objekteve dhe masave për zvogëlimin e zhurmës urbane siç janë sigurimi i brezit mbrojtës të gjelbër dhe hapësirave të mbjella me drurë dhe shkurre zbukuruese midis zonave të banuara dhe rrugës kryesore, si një nga masat më eko-miqësore për të reduktuar nivelin e ndotjes. Të bëhen përpjekje për zvogëlimin e zhurmës, që në projektimin e ndërtimeve te reja. Të përcaktohen me rregullore distancat midis rrugëve (sipas klasifikimit të tyre) dhe banesave. Të sigurohet mirëmbajtja e sistemit rrugor. Të forcohet puna për zbatimin e standardeve të përcaktuara për zhurmat urbane dhe monitorimin e vazhdueshëm të tyre.
Përsa i takon punës sonë për gjelbërimin urban u përqëndruam në zonat e banuara, në rrugët, shkollat dhe hapësirat midis ndërtesave publike etj në njerën anë si dhe në zonat e rikualifikimit urban të parqeve në anën tjetër.
Gjatë vitit 2020 u monitoruan zonat urbane B dhe C ku u matën parametrat e përkatësisht 1954 dhe 1933 drurëve zbukurues (pemëve).
Në Zonën B u llogaritën sherbimet e ekosistemit. Rezultoi se sasia totale e çlirimit të oksigjenit ishte 61. 3 ton/vit O2, sasia totale e sekuestrimit të karbonit ishte 23 ton/vit CO2, sasia totale e energjisë së konservuar ishte 107.38 MËh/vit dhe sasia totale e kapacitetit ujëmbledhës ishte 34752.6 m3/vit. Shuma totale e këtyre shërbimeve të ekosistemit vlerësohet në 20 822 990 lekë.
Sa I takon të dhënave të shërbimeve të ekosistemit në Zonën C rezultoi: sasia totale e çlirimit të O2 ishte 49.3 ton/vit, sasia totale e sekuestrimit të karbonit 18.5 ton/vit, sasia totale e energjisë së konservuar 93.3 MËh/vit dhe sasia totale e kapacitetit ujëmbledhës 33 485.5 m3/vit. Vlera totale e këtyre shërbimeve arrin shumën 16 814 452 lekë.
Nga gjithë sa u përmendën më sipër për gjelbërimin urban rekomandojmë: të ndërhyhet për rregullimin e gjendjes se drurëve dhe shkurreve në hapësirat shkollore si dhe të bëhet mbjellja e tyre me lule dhe bar. Në pjesën e tokës së përshtatshme për lule, gjatë rrugëve në trotuar, të behet mbjellja e luleve. Të bëhet lyerja me gëlqere e drurëve gjatë rrugëve si dhe në hapësirat shkollore. Të bëhet krasitja si për shkurret dhe drurët në hapësirat shkollore. Të shikohet mundësia e mbjelljes midis hapësirave të banesave me drurë e shkurre si dhe me bar e lule.
Merr rëndësi të veçantë të zgjidhen dhe të mbillen lloje drunore dhe shkurrore zbukuruese autoktone dhe endemike me vlera të larta që jo vetëm kanë aftësi t’u përshtaten kushteve klimatike-tokësore por edhe ofrojnë pamje e peisazhe origjinale shumë tërheqëse për turistët si dushqet, ahu, shelgjet, vërrinjtë, boshtra, marja, murrizat, shqemja etj, etj që nuk shihen fare në qytetet tona por kanë vlera të jashtzakonëshme zbukuruese dhe të shërbimeve mjedisore që sjellin.
Të shmanget sa të jetë e mundur betonizimi i sipërfaqeve të gjelbëra dhe objekteve të panevojëshme ndërtimore.
Mjedisi u takon të gjithëve, po të punojmë sëbashku të gjithë objektivat do arrihen.