Muriqan: Zbulohen dy raste të paligjshme, sekuestrohen 38 mijë euro të padeklaruara dhe 4.2 kg kanabis

Në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, Policia Kufitare ka evidentuar dy raste shkeljesh gjatë 12 orëve të fundit, të lidhura me mosdeklarim të të hollave dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Në rastin e parë, një shtetas polak, 49 vjeç, është ndaluar në hyrje të territorit shqiptar pasi iu gjetën 38 mijë euro të padeklaruara. Gjatë kontrollit fizik, 30 mijë euro iu zbuluan të fshehura në trup, ndërsa 8 mijë euro të tjera në çantën e dorës.

Në lidhje me këtë rast, autoritetet kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë.

Në rastin e dytë, dy shtetas nga Tirana, përkatësisht 42 dhe 32 vjeç, janë arrestuar pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre u zbuluan tetë qese të fshehura me rreth 4.2 kilogramë kanabis.

Sipas dyshimeve paraprake, lënda narkotike dyshohet se ishte siguruar në Gjermani.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.