Moti i keq në Shqipëri/ Lumi Vjosa del sërish nga shtrati! Rikthehen reshjet e dëborës në Rrugën e Kombit

Prej ditësh Shqipëria është përballur me kushte atmosferike të paqëndrueshme çka kanë sjellë përmbytje masive nga veriu në jug. Ndërkohë nuk kanë munguar as reshjet e dëborës në zona mbi lartësinë 300 metra.

Reshjet e dëborës janë rikthyer në Rrugën e Kombit, por situata paraqitet nën kontroll. Autoritetet bëjnë apel drejtuesve të mjeteve për përdorim të gomave të dimrit dhe të zinxhirëve.

Ndërkohë lumi Vjosa ka arritur përsëri kuotën maksimale duke shkuar në 7.45 metra. Prurjet vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa në zonën e Memaliajt niveli i ujit ka arritur në 7 metra. Kjo situatë paralajmëron një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, që pritet të arrijë deri në 8.5 apo 9 metra në orët në vijim.