Moti i keq/ Në Durrës dallgët arrijnë deri në 2 metër, dëborë, rrëshqitje dhe mungesë energjie në veri

Prej mbrëmjes së djeshme, moti i keq ka përfshirë vendin. Në Durrës gjatë orëve të natës ka patur prezencë të erës me shpejtësi 15-20m/s dhe dallgë, lartësia e te cilave ka arritur deri në 2m.

Burime nga autoritetet detare, bëjnë me dije se situata e krijuar në gjirin e Durrësit nuk ka ndikuar në nisjen apo mbërritjen e trageteve nga të dyja anët e Adriatikut.

Ndërkohë është pezulluar përkohësisht dalja në det e anijeve të peshkimit dhe mjeteve të vogla lundruese, deri në qetësimin e situatës.

Kushtet e këqija atmosferike kanë sjellë probleme edhe në qarkun e Shkodrës. Gjatë mbrëmjes ka pasur erëra të fuqishme, ndërsa ka probleme edhe me energjinë elektrike.

Gjithashtu raportohet se si pasojë e motit të keq janë dëmtuar disa pallate në Fushë Arrëz dhe është rrezikuar një banesë nga shkëputja e një masivi shkëmbor. Si pasojë e reshjeve të shiut ka pasur rrëshqitje dherash në disa akse rrugore.