Moti i keq godet Gramshin dhe zonat përreth: ndërprerje energjie elektrike dhe mësim i pezulluar

Qyteti i Gramshit dhe disa zona përreth janë pa energji elektrike prej më shumë se një dite, pas dëmtimeve të shkaktuara nga reshjet e forta të shiut.
Mungesa e energjisë nisi rreth mesnatës së kaluar, kur defekte në nënstacionin elektrik lanë pa drita qindra banorë. Situata më problematike është në shtatë fshatra të njësisë administrative Kukur, ku janë raportuar dëmtime në rrjetin energjetik dhe bllokime në disa rrugë rurale.
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, mësimi është pezulluar dhe linjat e transportit publik janë ndërprerë përkohësisht, pasi mjetet nuk kanë mundur të qarkullojnë drejt qytetit.

Ekipet e OSHEE-së dhe autoritetet vendore po punojnë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji, ndërsa strukturat e mbrojtjes civile të Bashkisë Gramsh po monitorojnë situatën për shkak të prurjeve të larta të ujërave në zonat malore.