DURRËS – Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, është shtyrë me disa orë nisja e trageteve nga porti i Durrësit drejt Barit.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit Portual Durrës, tragetet nuk do të nisen sipas orarit të parashikuar, por lundrimi do të realizohet më 5 shkurt, në orët e para të mëngjesit, pas përmirësimit të kushteve të motit.
Ndërkohë, imbarkimi i pasagjerëve dhe i mjeteve do të kryhet mbrëmjen e sotme, në përputhje me orarin e parashikuar fillimisht.
Autoriteti Portual Durrës u bën thirrje udhëtarëve që të qëndrojnë në kontakt me kompanitë përkatëse të lundrimit për informacion të përditësuar mbi oraret.
“Autoriteti Portual Durrës informon se, sipas njoftimeve nga kompanitë e trageteve, për shkak të kushteve atmosferike të pafavorshme, imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve do të zhvillohet mbrëmjen e sotme sipas orarit të parashikuar, ndërsa nisja e trageteve është shtyrë dhe do të realizohet më 05.02.2026, në orët e para të mëngjesit, me qetësimin e kushteve të motit. U kërkojmë udhëtarëve të qëndrojnë në kontakt me kompanitë përkatëse të lundrimit për informacion të përditësuar dhe i falënderojmë për mirëkuptimin,” thuhet në njoftim.













