Reshjet e shiut kanë përfshirë rreth mesditës qarkun e Elbasanit, kryesisht me intensitet të ulët, të shoqëruara me erë të fortë dhe në disa zona me rrebeshe shiu. Pavarësisht kushteve atmosferike, akset rrugore nacionale vijojnë të jenë të hapura për qarkullimin e mjeteve.
Problematika më e theksuar është regjistruar rreth orës 14:00 në kthesat e Dragostunjës, ku pati rënie inertesh dhe aluvionesh në rrugë. Situata shkaktoi vetëm ngadalësim të lëvizjes së automjeteve, ndërsa nuk është shënuar në asnjë moment ndërprerje e qarkullimit. Në terren vijojnë të ndodhen efektivët e Policisë Rrugore si edhe punonjësit e firmës kontraktuese, të cilët po monitorojnë situatën dhe po punojnë për pastrimin e aksit.
Ndërkohë, një tjetër problematikë është shfaqur në Njësinë Administrative Karinë të bashkisë Peqin, ku në fshatin Sinaballaj është shembur ura tip “Bailey”. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka pasur dëme në njerëz apo mjete. Dyshohet se shembja e urës ka ardhur si pasojë e kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë natës.
Si pasojë, aktualisht është ndërprerë qarkullimi për zonën që përfshin 9 fshatra të Peqinit, por edhe disa zona të Rrogozhinës. Autoritetet bëjnë me dije se po punohet për hapjen e një kalimi të përkohshëm pranë urës, me qëllim rikthimin sa më shpejt të lëvizjes së banorëve dhe mjeteve.













