Para Gjykatës Kushtetuese po zhvillohet protesta kundër tatimit të profesioneve të lira. Qytetarët me pankarta me mesazhe të ndryshme kërkojnë shfuqizimin e ligjit të tatimit të profesioneve të lira, ku janë shprehur se ky taksim ju dëmton biznesin.
Siç shihet edhe në fotot e mëposhtme në mënyrë simbolike, protestuesit kanë sjellë edhe disa dele, pasi nën sloganin “Mos rri si dele protesto” organizuesit kanë ftuar biznese të shërbimeve profesionale të protestojnë paqësisht para Gjykatës Kushtetuese. Protesta u organizua nga emisioni i Piranjave, ndërsa është mbështetur edhe nga opozita.
Kushtetuesja do të shqyrtojë më datë 18 qershor 2024 tre padi të depozituara për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari. Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës. Më 25 prill Kushtetuesja pranoi që të marrë në shqyrtim padinë e opozitës, ndërsa në një njoftim të ndarë në faqen zyrtare njofton se kjo padi do të shqyrtohet së bashku me dy të tjera.