“Mos më vono se jam në hasmëri…”, Policia e Elbasanit ndalon Valter Bamin

Vëllai i Durim Bamit, Valter Bami ka thyer masën “arrest shtëpie”. Burime për mediat bëjnë me dije se një punonjës i qarkullimit rrugor në Elbasan ndaloi një automjet tip “Audi” i cili drejtohet nga shtetësja me ininciale E.S.

Në automjet ndodhet dhe Bami i cili i kishte kërkuar efektivit që të mos e vononte me kontrollin pasi ishte në hasmëri.

Por, pas identifikimit, punonjësi i Rrugores në Elbasan e ka shoqëruar për në Komisariat Bamin si dhe shoferen e “Audit”.

Në janar të 2024, Valter Bami, i konsideruar edhe si “i forti”i Niklës u la i lirë.

Gjykata e Tiranës vendosi që të ndryshonte masën ndaj tij nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Bami ra në pranga pak ditë pas atentati të 4 korrikut 2023 në Larushkë të Krujës, ku mbetën të plagosur djemtë e të ndjerit Gentian Bejtja dhe u vra kunati i tij, Ramazan Sino.

Shuarja e masës erdhi pas përfundimit të afatit 6 mujor të hetimeve nën masën arrest me burg. Duke qenë se ai akuzohej vetëm për armëmbajtje pa leje, dhe nuk u arrit që të provoheshim dot dyshimet për implikimin e tij në atentatin ndaj Bejtjas, togat e zeza vendosën që ta nxjerrin nga qelia.