Mes zjarrit dhe flakadanëve shumëngjyrësh, miratohet në parim “Projekt Buxheti 2024”

Vetëm 5 minuta zgjati seanca plenare e kësaj të hëne, kur pritej të diskutohej projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, “Projekt Buxheti 2024″.

Deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget në foltore, ndërsa janë përplasur fizikisht me disa prej punonjësve të Gardës.

Ndërsa kundërshtuan vendosjen e Gardës në Kuvend, ata ndezën flakadanë, ku njëri prej tyre mori flakë.

Mes kaosit dhe debateve maxhorancë opozitë, “Projekt Buxheti 2024” u miratua në parim me 83 vota pro.

Berisha live në Facebook: Buxheti i vjedhjes më të madhe të tyre, buxheti i gjobës ndaj shqiptarëve, i shpërdorimit, i rrugëve të cilat kushtojnë 12 mln euro kilometri, buxheti i ppp-ve. Sot në parlament janë 1340 gardistë brenda në ambientet përreth, Reneas dhe forcat speciale. Opozita do të qendorë e papmposhtur në mbrojtje të të drejtave legjitime për të hetuar qeveritarët hajdutë që me vendimet e tyre kanë vjedhur dhe do vijojnë të vjedhin.

Noka: Po përdorni Gardën mish për top, nuk mbroheni ju me gardistë.

Votimi i Projekt Buxhetit është një prej seancave më të rëndësishme të vitit në parlament, ndërsa janë parashikuar për diskutime datat 20 dhe 21 Nëntor.

Këtyre diskutimeve i kanë paraprirë seanca të tensionuara e kaotike dy muajt e fundit, prodhuar nga ajo çfarë opozita e quan “rezistencë ndaj mos plotësimit të tre kërkesave të tyre”.

Kujtojmë se opozita më parë paralajmëroi bllokimin e vijimit të punimeve të parlamentit edhe këtë të hënë, kur pritet të diskutohet projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, projekt buxheti.