Tiranë, 25 janar 2026 – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë persona, të dyshuar si pjesë e një skeme të organizuar për kalim të paligjshëm drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, kundrejt pagesës prej 35 mijë euro për person.
Sipas organit të akuzës, aktiviteti kriminal kishte për qëllim transportimin e shtetasve shqiptarë drejt SHBA-së dhe Kanadasë, përmes itinerareve që përfshinin Karaibet dhe Porto Rikon, duke përdorur pasaporta dhe dokumente identifikimi të rreme.
Të pandehur në këtë çështje janë Hazir Maçi, Lejla Maçi, Çerkez Nikoçi, Ardjan Pirani, Alfred Maçi dhe Endrit Nezaj.
Nga hetimet rezulton se Hazir Maçi, i njohur më parë për veprimtari të ngjashme, kishte rolin e organizatorit kryesor të skemës. Prokuroria thotë se ai ka vijuar aktivitetin kriminal edhe nga paraburgimi, duke komunikuar me bashkëpunëtorët përmes numrave telefonikë të përdorur në mënyrë të paligjshme.
Lejla Maçi, bashkëshortja e tij, dyshohet se ka marrë pjesë aktive në organizimin e udhëtimeve dhe koordinimin logjistik, ndërsa Ardjan Pirani ka ndihmuar në menaxhimin e porosive dhe kontakteve me personat që kërkonin të largoheshin ilegalisht.
Në skemë përfshiheshin edhe persona të tjerë me role specifike. Endrit Nezaj, punonjës i një agjencie turistike, akuzohet se ka siguruar materiale fotografike të dokumenteve të huaja, të përdorura më pas për prodhimin e dokumenteve false. Çerkez Nikoçi dyshohet se ka transportuar dokumentet e falsifikuara, ndërsa Alfred Maçi ka vënë në dispozicion pasaportën e tij britanike si model për falsifikime të tjera.
Prokuroria njofton se të gjashtë të pandehurit do të përballen me akuzat për “Falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”. Për Hazir Maçin rëndon gjithashtu akuza për “Futje ose mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit”.
Dosja i është përcjellë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vijimin e procedurave ligjore.













