“Më humbi djali”, dinamika e vrasjes së fëmijës në Fier: Si u rrëmbye nga fqinji dhe u mbulua me baltë

Ngjarje tronditëse në Fier. Një fëmijë 8-vjeç është rrëmbyer dhe është gjetur pa jetë pasditen e sotme në një banesë në fshatin Greçalli të Fierit.

Policia njoftoi se sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.

Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.
Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit Klodian  Çalamani, 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.

Klodian Çalamani, autori i vrasjes së fëmijës 8-vjeç në Fier, në vitin 2006 kishte rrëmbyer për 20 minuta fqinjen e tij 16-vjeçare bashkë me shokun e Florian Vasiu në atë kohë 25-vjeç.

Shkak i kësaj ngjarjeje ishte bërë ngacmimi i përsëritur i Florianit ndaj vajzës atëherë 16 vjeçe, e cila ndiqte vitin e dytë në gjimnazin “Perikli Ikonomi” në Fier. Bezdisjet e herëpashershme që Floriani kishte kryer ndaj 16-vjeçares N.R., ishin vërë re rastësisht nga i dashuri i saj, E.N. nga Fieri, i cili e kishte takuar atë duke i thënë që të mos e shqetësonte më të dashurën e tij.

Në këtë kohë ka ndërhyrë Klodian Çalamani dhe i ka ndarë. Floriani dhe Klodiani, duket se kanë planifikuar ndëshkimin e fqinjës së tyre të mitur, duke e kërcënuar se do t’ia dëmtonin pjesë të ndryshme të trupit të saj, pikërisht gjoksin, duke ia prerë me biçak.