Gjykata Kushtetuese është mbledhur sot, 6 shkurt, për ankimimin e qeverisë ndaj vendimit të GJKKO, e cila pezulloi Belinda Ballukun nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pritet të shihet nëse Gjykata do të dalë me një vendim për Ballukun, pas seancës publike të mbajtur më 22 janar, apo do të kërkojë sërish kohë.
Kujtojmë se GJKKO, me kërkesë të SPAK, e pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku në nëntor, pasi u mor e pandehur për abuzime me tenderin e tunelit të Llogarasë, por kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë si shkelje të kompetencave të tij.
Me këtë argumentim, ai e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe seanca publike me të gjitha palët u mbajt më 22 janar.
Nga ana tjetër, SPAK i është drejtuar edhe Kuvendit, ku kërkon heqjen e imunitetit të Ballukut si deputete, dhënien e autorizimit dhe hapjen e rrugës për vendosjen e një mase më të ashpër sigurie si arresti në shtëpi apo në burg.
Socialistët kanë shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, duke pretenduar se duhet pritur së pari vendimi i Kushtetueses. Opozita argumenton se kërkesa për arrestim nuk ka lidhje me pezullimin dhe për rrjedhojë pretendimi i maxhorancës nuk qëndron.
E pandehur për shkeljet në tenderin 190 milionë euro të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për 7 procedura të tjera prokurimi lidhur me ndërtimin e loteve të Unazës së Madhe, SPAK thotë se Balluku, duke qenë në detyrë, rrezikon të prishë provat hetimore dhe të intimidojë dëshmitarët.














