Mbi 4 mijë prindër, ndonëse e kanë detyrim ligjor, nuk paguan pensionin ushqimor për fëmijën e tyre, pas divorcit gjatë vitit 2022. Ky konstatim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, u bë në 9 zyra rajonale të përmbarimit, nga 22 që e ushtrojnë veprimtarinë në Shqipëri.
Në inspektimin që i është bërë drejtorive rajonale në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Fier, Berat, Lezhë, Lushnje, Korçë dhe Pogradec, KLSH thotë se dy janë arsyet kryesore për mospagimin e pensionit ushqimor: pamundësia financiare dhe emigrimi i shumë debitorëve.
Në lidhje me kontrollin e shërbimit përmbarimor shtetëror KLSH thotë se ai cenohet edhe nga numri i lartë i dosjeve në ekzekutim, të cilat shpeshherë akumulohen nga viti në vit.
Raporti ka nxjerrë në pah edhe probleme në infrastrukturë dhe mungesë të mjeteve të nevojshme në zyrat rajonale përmbarimore, e sidomos në arkivë. Sipas KLSH, në rrethe si Vlora, Shkodra dhe Korça, kishin përshtatur zyra si ambiente arkive. Ndërkohë, në disa raste të tjera situata paraqitej më problematike. Për shembull në zyrat rajonale Lushnje dhe Berat, dosjet e arkivës mbaheshin në shkallët e ndërtesës së Gjykatës apo në tualet.














