Mbi 107 mijë fëmijë përfituan nga programi i depistimit të shikimit në shkolla, rreth 13 mijë u referuan për vizitë tek mjeku

Mbi 107 mijë femijë kanë përfituar nga program i depistimit të shikimit në shkolla. Kështu bën me dije kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë thotë nga kontrolli i tyre, rreth 12, 974 nxënës janë referuar për vizitë tek mjeku specialist për ndjekjen e problematikave të shfaqura.

‘Me politikat e orientuara drejt parandalimit, vijojmë edhe gjatë vitit 2024 mbështetjen financiare për Programin e Depistimit të Shikimit për nxënësit në shkolla!’- e përmbyll shkrimin Rama.

Qeveria miratoi në prill të 2022-shit Programin Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, një program që garanton kujdesin në shikimit për fëmijët, që tek të porsalindurit, deri tek fëmijët në moshën 14-vjeçare.

Përmes këtij programi sigurohet vlerësimi okulistik/optometrik bazuar në protokollet e miratuara nga MSHMS dhe përgatitja e një regjistri kombëtar për problemet e shikimit të fëmijëve.

Nëpërmjet këtij program synohet që të kapen në kohë të gjithë problematikat e shikimit të fëmijëve, duke mundësuar në kohë të hershme elementët e tjerë që kanë të bëjnë me korrektimin e shpejtë të syve dhe problematikave të thella të shikimit, që çojnë deri në verbëri.

Ky program ka fokus parandalimin dhe edukimin duke ofruar shërbime të reja socio-shëndetësore në strukturat e arsimit.