Maska, armë, euro falco, kapet hajduti i rrezikshëm

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Identikiti”, të zhvilluar nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4 në Tiranë.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan tre persona: Fatjon Bruçi (alias Fatjon Bruci), 29 vjeç, me precedentë penalë, si dhe bashkëpunëtorët e tij Xhonatan Deliu, 21 vjeç dhe Enri Elezi, 19 vjeç.

Fatjon Bruçi, i shpallur në kërkim, u lokalizua në lagjen “5 Maji” në Tiranë, ndërsa lëvizte me një automjet tip “Audi”. Ai ishte person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i implikuar në një sërë veprimtarish kriminale. Sipas Policisë, më datë 29 gusht 2025, ai kishte tentuar të kryente një grabitje të armatosur në një argjendari në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës, duke qenë i maskuar me skafandër motomjeti.

Gjatë kontrollit në momentin e arrestimit, Bruçit iu gjet një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, ndërsa në banesën që kishte marrë me qira në Tiranë, policia zbuloi një armë zjarri pistoletë, dy maska silikoni, municion luftarak, tre pajisje për grirjen e lëndës narkotike dhe 550 dollarë në kartëmonedha false, së bashku me shuma parash dhe aksesorë të tjerë.

Gjykata e Shkodrës i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërkohë, gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë edhe Xhonatan Deliu dhe Enri Elezi, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi ndodheshin si pasagjerë në automjetin me të cilin po lëvizte i kërkuari.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.