Mardena, Farida dhe Fillareta janë tre zonja që kanë ardhur në programin “Ka Një Mesazh Për Ty”, por nuk kanë lidhje gjaku me njëra-tjetrën. Ato janë njohur në vitin 2023 përmes një konkursi të quajtur “Miss Mama”.
Mardena është nga Elbasani, jeton në Itali dhe u shpall “Miss Mama 2023”. Farida nga Shkodra u shpall “Miss Publiku” ndërsa Fillareta nga Korça që po ashtu jeton në Itali, është shoqëruesja e “Miss Mama”.
Secila prej tyre ka arsyen e saj pse ka marrë pjesë në konkurs, por Fillareta thotë për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se pjesëmarrja e saj ishte shpirtërore.
Fillareta: Pjesëmarrja ime ishte shpirtërore por edhe unë vija nga zona e Korçës që janë shumë fanatikë. Domethënë, burri nuk donte që unë të vija, çunin e kam mjek, punon në Gjermani, është 30 vjeç, vajzën e kam me studime, edhe ajo për fizioterapi në Torino. Thashë si të bëj, u menduam pastaj nusja, e kam nga Elbasani nusen, “jo le të shkojë, le të dalë, ta shikojmë njëherë mamin”.
Një detaj rreth Fillaretës është që ajo përdor dy emra sepse në rrjetet e saj sociale shfaqet ndryshe.
Fillareta: Unë përdor dy emra se kur i dhashë emrin Xhildës, më kërkonte rrjetet sociale, më kërko në Facebook i thashë, por më kërko me këtë emër, Valeria Fejzulla. Unë këtë emër, akoma nuk e kam ndërruar dhe nuk do ta ndërroj asnjëherë sa të jem gjallë, e kam emrin e motrës. Unë me motrën kemi qenë pothuajse si binjake dhe ajo gjithmonë është shpirti im binjak. Ajo ka ikur nga kjo jetë 40 vjeçe me një sëmundje të rëndë dhe vdiq shumë e re. Më tha “Filla, do qëndrosh këtu, do më ndihmosh”. Unë qëndrova 6 muaj, e ndihmova. “Unë do të të lë Facebook-un tim se e di që do vdes me këtë sëmundje që kam”.
Ardit Gjebrea: Po pse e kishte merak motra këtë pjesën e Facebookut?
Fillareta: Ngaqë do vdiste dhe ia tha doktori që “jeta jote nuk është shumë e gjatë”, thoshte “si do iki kaq e re unë, asnjë s’do më kujtojë më vonë. A ma mban Facebook-un hapur dhe gjithmonë që do shohësh Facebook-un do më kujtosh mua?” Edhe unë nga kjo e mbajta këtë./
