Në media, po trajtohet rasti i Xhuana Nikollit, që i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë pas dhunës nga ish-bashkëshorti i saj.
Xhuana e cila pasi kishte përjetuar dhunën nga Eraldo, mbrëmjen midis datës 9 dhe 10 mars, kishte vendosur t’i jepte fund jetës, duke konsumuar një tabletë fotoksinë, në apartamentin e marrë me qira në Tiranë. Ku e para që e gjeti në grahmat e fundit të jetës ishte pronarja e apartamentit, e cila kishte marrë një telefonatë të shqetësuar nga motra e Xhuanës që jeton në Tiranë, që i kishte bërë me dijeni se nuk po lidhej dot me Xhuanën.
Pronarja e apartamentit e cila pasi vrapoi drejt hyrjes pa të shtrirë aty Xhuanën, në gjendje të rëndë shëndetësore. E reja e cila edhe pse u transportua me urgjencë drejt Spitalit Univeristar ‘Nënë Tereza’, nuk mundi t’i shpëtojë helmimit të fortë që fotoksina kishte shkaktuar në organizmin e saj.
“Në nëntor erdhi në Tiranë, qëndroi te motra ime që jeton në këtu. Pastaj gjeti shtëpi me qira me shoqen e saj, deri në muajin mars. Motra në Tiranë ka marrë në telefon Xhuanën por Xhuana nuk është përgjigjur. Pastaj ka shkuar e zonja e shtëpisë dhe e ka parë në atë gjendje. Kanë marrë ambulancën, mjeku tha që ka ardh me puls shumë të ulët dhe…”, rrëfen Marjana për News 24.
Xhuana nuk mundi të thotë asnjë fjalë se përse ajo ndërmori atë veprim. Por ajo la për familjarët e saj një letër që tregonte shumëçka për dhunën që kishte përjetuar. Por njëkohësisht ajo la të kuptohej se ishte dhunuar fizikisht nga Eraldo, para se t’i jepte fund jetës. Dhunë mesa duket e çoi edhe në vendimin fatal për të konsumuar fotoksinë. Ndoshta edhe për faktin që ajo nuk mundi ta pranojë faktin që ai që e dhunoi ishte njeriu të cilin kishte dashuruar në gjithë këto vite.
Dhunë e cila u vërtetua edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore, ku sipas Marjanës, motrës së saj, shenjat e dhunës ishin të dukshme në fytyrë dhe në trup, si edhe në xhupin e grisur. Për këtë mendohet që mund të ketë pasur një përleshje midis të dyve.
“Ne e dimë që ka pasur vetëm dhunë psikologjike, presion të tipit ‘ti nuk vlen, nuk do kesh kurrë një jetë të qetë pa mua’. Jo dhunë fizike. Dhunë fizike vetëm atë natë që Xhuana dha jetën.
Ka foto të ekspertizës mjekoligjore, që kemi parë Xhuanën. Te pjesa e fytyrës, e trupit, xhupi i saj i grisur….”, tha motra e Xhuanës.
Por çfarë kishte shkruar Xhuana në letrën e saj të lamtumirës për njerëzit e saj të afërt. Pse ajo u kujdes në këtë letër, t’u bënte atyre me dije se nuk i kishte koritur, apo ndryshe nuk i kishte turpëruar.
A ishte kjo një akuzë të cilën Eraldo ia bënte shpesh në formë presioni psikologjik dhe me anë të kësaj fjalie drejtuar familjarëve të saj, Xhuana u përpoq t’u thoshte që duhet të rrinë të qetë edhe më ikjen e saj. Dhe se çfarëdo justifikimi që të nxjerrë Eraldo dhe familja e tij mbi arsyet e vetëvrasjes së Xhuanës, ato janë të pavërteta.
“Kur e kishte pirë këtë, atë natë kishte shkruar një letër. Aty ne kemi kuptuar që ai e kishte rrahur.
Mam, bab, nuk ju kam koritur. Nuk kam bërë asgjë për ta merituar këtë. Ai më ka rrah saqë nuk e duroj dot më këtë lloj dhune që më ka bërë. Ju dua shumë mos qani. Këto kanë qenë fjalët”, rrëfen motra.
Pra është e qartë edhe nga letra që Xhuana ka lënë, që Eraldo ka ushtruar dhunë fizike mbi të.
Dhunë e cila mesa duket kohët e fundit duhet të jetë bërë sistematike, por që Xhuana me siguri e ka mbajtur brenda vetes së saj.
Por nuk përjashtohet edhe fakti që kjo dhunë të jetë shoqëruar edhe me terror psikologjik nga ana e Eraldos, me qëllim që Xhuana të dilte fajtore për ndarjen e tyre. Në të kundërt nuk ka se si shpjegohet ndryshe që Xhuana kujdeset në letrën e saj për nderin e familjes.













