“Mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend”/ Zbardhet dëshmia e Veliajt në seancën gjyqësore: I kam hyrë në hak familjes time…

TIRANË – Dëshmi të reja janë zbardhur nga seanca gjyqësore që u mbajt këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme për vlerësimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenët e tjerë.

Seanca me dyer të mbyllura zgjati rreth 6 orë, ndërsa është zbardhur dhe dëshmia e kryebashkiakut Veliaj. Veliaj gjatë seancës gjyqësore ka deklaruar se vila në Qerret nuk është e tij, por e prindërve të Ajola Xoxës.

Veliaj ka deklaruar se nuk ka asgjë të pazakontë që lodrat e fëmijës së tij të jenë gjendur në shtëpine gjyshërve. Më tej Veliaj ka deklaruar se është një Kryetar Bashkie që është votuar nga populli dhe ka bërë detyrën e tij ashtu si duhej.

“Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë një kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrë time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diele edhe për festa kam punuar.

Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot. Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës sim dhe se bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm dhe vjehrra ime dhe nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes”,- ka deklaruar Veliaj.

Ndërkohë trupa gjyqësore është tërheqëur për të marrë vendimin lidhur me kryebashkiakun Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa si dhe 6 biznesmenët e tjerë. Mësohet se avokatët e Veliajt kanë kërkuar masë më të lehtë sigurie për Veliajn dhe detyrim paraqitje për Xoxën, por vendimi përfundimtar ende nuk është dhënë.