Makina në Delvinë bie nga ura, shoferi niset me urgjencë drejt Traumës

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e kësaj të hëne në fshatin Buronjë, në segmentin rrugor Sarandë – Delvinë.

Një automjet i tipit ‘Toyota Auris’ ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke lënë të plagosur drejtuesin e mjetit, 62-vjeçarin Nishan Ballaci, i cili udhëtonte i vetëm.

Sipas dëshmive të banorëve të zonës, ata ndërhynë menjëherë për të ndihmuar dhe për të nxjerrë shoferin nga kanali, ku kishte përfunduar automjeti.

Fillimisht, Ballaci është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Sarandës, ku pas marrjes së ndihmës së parë, është dërguar me ambulancë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar, për shkak të plagëve të rënda.

“Rreth orës 19:30, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, në vendin e quajtur “Stiar”, shtetasi N. B., 61 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Toyota”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, duke dalë nga rruga.

Si pasojë e aksidentit, 61-vjeçari ka marrë dëmtime dhe është transportuar për mjekim më të specializuar në QSUT Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po vijon me veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, bën me dije policia.