Kryetari i bashkisë së Elbasanit, njëkohësisht kandidat i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit, Gledian Llatja u kërkoi qytetarëve të votojnë në 14 maj për të vazhduar projektet e nisura në këtë qytet.
Në fjalën e tij në takimin përmbyllës në Elbasan, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Llatja tha se “do të ecim vetëm përpara për punët që kemi nisur para 4 vitesh. Do të vazhdojmë projektet tona për zhvillimin urban, zhvillimin rural dhe për urbanizimin”.
“Do të ecim vetëm përpara për mirëqenien e qytetarëve tanë, për rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve si në qytet dhe në fshat. Kam takuar mijëra qytetarë gjatë kësaj fushate elektorale, të cilët shpresën e kanë tek ne dhe janë të bindur që bashkë do të vazhdojmë përpara, janë të bindur për punët e mira që kemi nisur”, tha Llatja.
Llatja u shpreh se “do të vazhdojmë ta zhvillojmë Elbasanin dhe bashkë me Kryeministrin Edi Rama do të vazhdojmë me bajpasin, me Korridorin 8, me hekurudhën nga Guri i Kuq deri në Rrogozhinë, do të vazhdojmë me projektet e mëdha në Elbasan, me projektin e Automoto Parkut”.
“Në 14 maj nuk e merr dot njeri Elbasanin, nuk e merr dot njeri zhvillimin e Shqipërisë”, tha Llatja.
