“Live si në Big Brother”, këshilltari i mazhorancës kundër transmetimit të mbledhjeve në rrjetet sociale

Sot u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Elbasanit dhe opozita ngriti pretendime se mbledhjet duhen transmetuar live në rrjetet sociale me qëllim që qytetarët të informohen se çfarë diskutohet dhe çfarë vendoset në këto mbledhje.

Këshilltarët e djathtë krijuan kakofoni me kërkesën e tyre dhe kjo bëri antari i këshillit bashkiak të Partisë Socialiste Hektor Çiftja të reagonte duke e quajtur kërkesën e opozitës “një shfaqje si në Big Brother transmetimin live të mbledhjes së Këshillit”.

Çiftja akuzoi Kryetarin e Këshillit, Lutfi Lala, se po lejon opozitën me pretendimet e saj për transmetimin e mbledhjeve në facebook.

Transmetimi i mbledhjeve është një nismë e këshillit me synimin për rritjen e transparencës dhe informimit të qytetarëve lidhur me diskutimet dhe vendimet e institucionit më të rëndësishëm vendimarrës.

Por rrjetet sociale nuk konsiderohen si platforma profesioniste mediatike dhe kjo ka bërë që nxiten debate nëse duhet apo jo që transmetimet të zhvillohen përmes këtyre rrjeteve.