Shërbimet e Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Librazhd, finalizuan operacionin e koduar “Insistimi”, duke arrestuar një 32-vjeçar, D. K., i dyshuar për tentativë rrëmbimi dhe dhunë fizike.
Sipas hetimeve, i arrestuari tentoi të merrte me forcë në automjet një shtetase 39-vjeçe, të cilën dyshohet se e kishte përndjekur për 1 vit e gjysmë. Gjatë ngjarjes, ai gjithashtu goditi me grushte shtetasin që shoqëronte viktimën dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
32-vjeçari u kap në hyrje të qytetit të Elbasanit, teksa drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Policia sekuestroi automjetin dhe celularin e tij si prova materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivit të përndjekjes vazhdojnë.













