Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendosjen e sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop” me Shqipërinë, një masë që synon lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve mes dy vendeve.
Me këtë vendim, Shkupi përmbyll procesin e zbatimit të këtij sistemi me të tre vendet fqinje që nuk janë pjesë e zonës Schengen, pasi modeli tashmë është në funksion edhe me Serbinë dhe Kosovën. Për hyrjen e plotë në fuqi të sistemit mbetet vetëm nënshkrimi i marrëveshjes përkatëse mes ministrive të Brendshme të dy vendeve.
Faza e parë e zbatimit do të nisë në pikën kufitare të Qafë Thanës, ndërsa më pas sistemi pritet të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Sipas zëdhënëses së qeverisë maqedonase, Venera Azizi, sistemi do të mundësojë procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe më të sigurta për udhëtarët, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi në kufi rritet ndjeshëm.
”Kjo do të mundësojë kalim më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të sigurt të kufirit shtetëror, veçanërisht gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm frekuenca e udhëtarëve dhe kur në të kaluarën qytetarët shpesh kanë ngritur shqetësime për pritjet e gjata në pikat kufitare”, bëri të ditur në konferencë për media zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.
Azizi theksoi se nevoja për këtë mekanizëm pasqyrohet edhe nga numri i lartë i kalimeve kufitare. Vetëm gjatë vitit 2025, në pikat kufitare me Shqipërinë janë regjistruar mbi 4.5 milionë udhëtarë, ndërsa më shumë se 2.3 milionë prej tyre kanë kaluar përmes Qafë Thanës. Autoritetet vlerësojnë se sistemi “One Stop Shop” do të reduktojë ndjeshëm kohën e pritjes dhe do ta bëjë më efikas qarkullimin e qytetarëve në kufi.




