Lea Ypi firmos letrën kundër Edi Ramës

Njëmbëdhjetë organizata dhe shoqata shqiptare me bazë në Mbretërinë e Bashkuar i kanë dërguar një letër të hapur Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku shprehin mbështetje për protestat qytetare që po zhvillohen në vend dhe dënojnë përdorimin e dhunës ndaj protestuesve paqësorë.

Letra është bërë publike edhe nga shkrimtarja dhe akademikja shqiptare Lea Ypi, e cila e ka shpërndarë atë në rrjetet sociale.

Në reagimin e tyre, organizatat e diasporës theksojnë se protestat përfaqësojnë një shoqëri civile gjithnjë e më të organizuar dhe të ndërgjegjshme, duke i cilësuar si shprehje të demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese për kërkim llogarie ndaj institucioneve.

Sipas letrës, në protesta marrin pjesë të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, të cilët kërkojnë mbrojtjen e pasurive natyrore, hapësirave publike dhe rritjen e transparencës institucionale.

Organizatat dënojnë çdo formë dhune, frikësimi apo represioni ndaj protestuesve dhe i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të adresojë kërkesat e tyre.

Në dokument renditen katër kërkesa kryesore: transparencë e plotë për vendimet dhe kontratat që lidhen me mjedisin, llogaridhënie për koncesionet dhe privatizimet, mbrojtje e interesit publik në politikat e zhvillimit ekonomik, si dhe hapje e një dialogu të strukturuar me shoqërinë civile.

Letra është firmosur nga një sërë organizatash shqiptare në Britani, përfshirë shoqata studentore në universitete të ndryshme si Cambridge, LSE dhe UCL, si dhe grupe kulturore e komunitare të diasporës.