Largohen nga detyra katër nënkryetarë të bashkisë së Tiranës, ja kush janë emrat e rinj që do t’i zëvendësojnë

TIRANË- Katër nënkryetarë të bashkisë së Tiranës janë liruar nga detyra. Bëhet me dije se Frida Pashako, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Jonida Halili kanë paraqitur dorëheqjet e tyre nga posti që mbanin në këtë institucion. Ndërkohë janë caktuar edhe katër emrat që do të jenë nënkryetarët e rinj, të cilët janë Ilir Mengra, Blendi Sula, Gentian Keri dhe Vasilika Vjero.

Ndryshimet vijnë pas takimeve të zhvilluara nga kryeministri Edi Rama me deputetët e qarkut të Tiranës dhe drejtorët e bashkisë së kryeqytetit. Në mbledhjen e fundit, Rama kishte kërkuar gjithashtu që bashkia të ishtë me 5 nënkryetarë dhe secili prej tyre të kishte një profil të caktuar. Ndërkohë raportohet se në mbledhje, kryetares së komanduar të bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit, Rama i ka ngarkuar pjesën e digjitalizimit në këtë insititucion.

Ende nuk dihet nëse në bashkinë e Tiranës, mund të ketë zgjedhje të reja, për shkak se kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në burg prej disa muajsh. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.