Lazim Hiseini është një shqiptar nga Gostivari, prindërit e të cilit janë vendosur në Sarajevë qysh në vitet ‘50.
Si shumë të tjerë ka krijuar një biznes të tijin në të cilin tregton ëmbëlsira. Ka qenë ndër të parët që ka sjellë për boshnjakët ëmbëlsira që nuk i njihnin e s’i kishin provuar më parë.
Për banorët dhe vizitorën ëmbeltorja e Haxhi shqiptarit ofron akulloren më të mirë të zonës ndërsa njihet po ashtu për trileçen që tashmë është bërë një nga ëmbëlsirat më të pëlqyera të boshnjakëve.
Lazimi thotë se kjo ëmbëlsirë u pëqye aq shumë sa një sasi prej 100 racionesh iu dërgua kryeministrit Erdogan në rrugë ajrore.
“Këtu ka qenë djali i Erdoganit, e ka provuar si ëmbëlsirë e i ka pëlqyer shumë. Më pas Erdoganit ia kemi dërguar nga Sarajeva 100 copë me helikopter”- shprehet ai.
Lazimi thotë se për herë të parë e ka vizituar Shqipërinë në vitin ‘91 pas hapjes së kufijve, me kuriozitetin për të parë vendin pas komunizmit. Ndërsa shprehet se mbresat më të mira ia ka lënë mikpritja e ngrohtë e familjeve shqiptare.
“Kemi qenë 3 vetë, jemi nisur me makinë. Kemi vajtur fillimisht në Dibër, në Peshkopi, Krujë. Njerëzit ishin shumë mikpritës, por vendi shumë i varfër. Kemi shkuar edhe në Elbasan e Tiranë, edhe atje na kanë pritur mjaft mirë”- u shpreh ai.
Lazim Hiseini nuk është i vetmi, pasi si ai janë të shumtë shqiptarët që kanë hapur biznese ku tregtojnë ëmbëlsira e ushqime të ndryshme të kuzhinës shqiptare duke ruajtur e promovuar kulturën e vendit.