Në vitin 2017, në Durrës, policia shqiptare arrestoi Alket Hatinë, i shpallur në kërkim në Itali, i dënuar për 20 vjet burg. Ai u lirua nga Gjykata e Durrësit mes debatesh të ashpra ndërsa të martën, Gjykata e Lartë vendosi ta ekstradojë në Itali. Ndërkohë vendndodhja e personit të njohur si “Zotëria i Drogës” nuk dihet. Policia tha se e ka informacion të rezervuar nëse ai është apo jo aktualisht i shpallur në kërkim.
Gjykata e Lartë vendosi të martën të lejojë ekstradimin Alket Hatisë, një shqiptar i dënuar nga drejtësia italiane me 20 vjet burg për trafik droge por vendndodhja aktuale e trafikantit nuk dihet ndërsa Policia e Shtetit i tha BIRN se ajo nuk mund të japë informacion nëse ky person është apo jo aktualisht në kërkim.
Gjykata vendosi “ndryshimin e vendimit të Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Durrës. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Durrës. Lejimin e ekstradimit të shtetasit Alket Hatija në shtetin italian për efekt të ekstradimit të vendimit penal Nr.4526/2015, dt.30/09/2015 të Gjykatës së Apelit Milano, Itali”.
Vendimi i Gjykatës së Lartë të martën erdhi pas një sorollatjeje katërvjeçare nëpër dyert e drejtësisë të një çështjeje që trazoi institucionet në Shqipëri. Hatija u arrestua në Durrës më 8 korrik 2017 me porosi të drejtësisë italiane. Sipas një lajmi të agjencisë Ansa mbi ngjarjen, arrestimi i tij në Durrës erdhi pas një informacioni të dhënë nga karabinierët e Milanos, të cilët e kërkonin atë për të vuajtur 20 vjet burg dënim i dhënë nga Gjykata e Milanos për një rast të trafikut të drogës të vitit 2004. Hatija u gjet përgjegjës për trafikimin e 350 kilogramëve heroinë dhe 190 kilogramëve kokainë me vlerë prej 35-45 milionë euro.
Por Gjykata e Durrësit per lirimin e tij me argumentin se dënimi në Itali është dhënë me të njëjtat shkaqe për të cilat Hatija është akuzuar, dënuar dhe vuajtur dënimin në Shqipëri dhe për rrjedhojë, nuk mund të ketë dy dënime për të njëjtën vepër penale. Pak javë më vonë, Gjykata e Apelit Durrës ndryshoi vendimin e shkallës së parë dhe urdhëroi arrestin me burg të Hatisë si masë sigurie në pritje të gjykimit për kërkesën e ekstradimit. Por ndërkohë Hatia nuk gjendej.
Në vitin 2018, Gjykata e Durrësit e rrezoi kerkesen për ekstradim ndërsa u deshën tre vjet e gjysmë të tjera që Gjykata e Lartë të prishë këtë vendim dhe të urdhërojë ekstradimin e tij në Itali. Por nëse ky ekstradim do të realizohet apo jo, kjo mbetet për t’u parë.