Kuvendi i dërgon SPAK vendimin për Berishën

Rreth 2 orë e gjysmë pasi parlamenti miratoi me votat e mazhorancës kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, institucioni i Kuvendit i ka përcjellë Prokurorisë së Posaçme, shkresën zyrtare.

“Kuvendi i Shqipërisë vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në shkresën zyrtare të miratuar këtë të enjte, e që mban firmën e Linda Nikollës.

Bashkëlidhur, Kuvendi dërgoi edhe raportin rekomandues të deputetëve, siç thuhet edhe në këtë shkresë.

“Vendim nr 127/2023 “Për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, ndërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”. Gjithashtu, bashkëlidhur ju dërgojmë edhe raportin rekomandues të deputetëve të shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe raportin rekomandues të deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”.

Me marrjen e këtij vendimi, tashmë Prokuroria e Posaçme pritet që t’i drejtohet Gjykatës së Posaçme me kërkesën për ndryshim të masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit.

Kuvendi miratoi me 75 votat pro të socialistëve heqjen e imunitetit për Sali Berishën, duke vendosur kështu në favor të kërkesës së SPAK për autorizim për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij. Seanca u zhvillua si zakonisht muajt e fundit mes kaosit, pasi deputetët e PD bllokuan foltoren dhe ndezën tymuese.

Sali Berisha ndodhej në seancë kur u miratua kërkesa e SPAK. Ai nuk pranoi të fliste kur kryeparlamentarja Lindita Nikolla i dha të drejtën e fjalës. Ndërkohë deputetët e PD-së vijuan atë që e cilësojnë si mosbindje civile. Një pjesë tjetër e tyre qëndronte jashtë pasi ishin përjashtuar nga seanca.

Jashtë Kuvendit, PD zhvilloi protestë. Atje u mblodhën dhjetëra qytetarë ndërkohë që ishte ngritur edhe një podium. Pas seancës parlamentare asaj iu bashkua edhe Sali Berisha. Ai e konsideroi vendimin e Kuvendit antikushtetues ndërsa i bëri thirrje degëve që të mobilizojnë anëtarësinë dhe mbështetësit e PD. Protesta u zhvillua e qetë dhe pa problematika. Policia e Shtetit kishte marrë masat e saj për të shmangur çdo incident të mundshëm.