Kushtetuesja rrëzon ankimin e qeverisë për Ballukun, si u ndanë votat

Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e GJKKO, e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas mbledhjes që nisi që prej orës 11:00, është vendosur që të rrëzohet ankimimi i qeverisë, pasi gjyqtarët kanë votuar 4 pro dhe 4 kundër.

Vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut u mor me kërkesë të SPAK, pasi ajo u mor zyrtarisht e pandehur për dyshime mbi shkelje ligjore në procedurat e tenderimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar atë si një tejkalim të kompetencave dhe ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.

Pikërisht mbi këtë argument, kreu i qeverisë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar zgjidhjen e konfliktit institucional të krijuar mes Kryeministrisë dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe GJKKO-së, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar.

Seanca dëgjimore ku morën pjesë të gjitha palët u zhvillua më 22 janar 2026.

Ndërkohë, SPAK ka ndërmarrë një tjetër hap procedural, duke i dërguar Kuvendit (më 16 dhjetor 2025) një kërkesë për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut.

Pavarësisht se fillimisht u caktua data 19 dhjetor e vitit të shkuar për mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, mazhoranca socialiste vendosi ta shtyjë duke argumentuar se duhet pritur fillimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Belinda Balluku është e pandehur për shkelje të dyshuara në tenderin me vlerë 190 milionë euro për tunelin e Llogarasë, ndërsa paralelisht po hetohet edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe.

Sipas SPAK, qëndrimi i saj në detyrë përbën rrezik për hetimin, pasi mund të ndikojë në prishjen e provave ose në ushtrimin e presionit ndaj dëshmitarëve.