Gjykata Kushtetuese ka kaluar në seancë ankimin e PD për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen e McGonigal, që u refuzua nga mazhoranca socialiste.
Në kërkesën e tyre, deputetët kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë detyrimin e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.
Paralelisht, deputetet kanë kërkuar edhe ngritjen e një komisioni të dytë hetimor, me objekt kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.
“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit:
(i) “Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”;
(ii) “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.
2. Deklarimi i vendimit nr.77/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles MCGonigal”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
3. Deklarimi i vendimit nr.78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e GJK.













