Kushtet e gjimnazit të Kuqanit, nxënësit largohen drejt qytetit, shkolla rrezikon mbylljen

Rea Hysa

Shkollimi është një e drejtë themelore e njeriut dhe duhet të jetë në kushte të përshtatshme por nuk ndodh kështu në shumë shkolla në zonat rurale edhe pse mund të jenë afër qytetit.

Në fshatin Kuqan, njësia administrative Shirgjan, ndodhen dy godina shkollore të cilat nuk kanë parë investime prej vitesh dhe sot janë në gjëndje të keqe. Shkolla, të cilat dikur mbulonin një pjesë të mirë të fshatrave përreth, sot për shkak të infrastrukturës  së tyre të dobët,  rrezikojnë mbylljen.

Gjimnazi “Anastas Cakalli” para 5 vitesh  numëronte pothuajse 400 nxënës ndërsa sot numëron më pak se 100 nxënës dhe është në prag të mbylljes.

Kristjana Sota, nxënëse e këtij gjimnazi, thotë së shkolla ka shumë nevojë për rikonstruksion të plotë. Kristjana shprehet se ai brenda ashtu dhe jashtë shkolla po bie. “ Problemi më shqetësues i pranishëm në shkollën tonë është kryesisht infrastruktura tepër e dobët. Shkallët, tualetet, e gjithë godina ka nevojë për rikonstruksion të plotë, si në ambjentet e brëndshme po ashtu dhe në ato të jashtmet”.

Një tjetër problem për Kristjanën, dhe nxënësit e tjerë të këtij gjimnazi, janë tualetet, të cilat janë pothuajse jashtë përdorimit.  “Tualetet janë pjesa më shqetësuese në lidhje me infrastrukturën. Ato janë pothuajse jashtë përdorimit dhe aspak higjenike, ose më e pakta të kenë kushtet minimale për të qenë funksionale”- shton më tej ajo.

Mungesa e laboratorëve mësimorë si dhe e një ambienti të posaçëm për të zhvilluar orën e fiskulturës janë gjithashtu probleme të ngritura nga nxënësit e këtij gjimnazi,  në thirrjen e hapur të instrumentit ECR(një formë për të vjelur mendimin e qytetarëve me dëshmi dhe dokumente) për këtë qëllim. “Mungesa e laboratorëve dhe mjeteve të ndryshme e bën tepër të vështirë kuptimin e lëndëve mësimore te ndryshme si për shembull kimisë, fizikës, biologjisë etj. Kjo shfaq vështirësi dhe në përgatitjen tonë. Për sa i përket zhvillimit të orës së fiskulturës kemi gjithashtu vështirësi, sidomos në ditët me shi. Kjo ndodh sepse na mungon një palestër apo qoftë edhe një fushë e posacme për këtë orë mësimore”thotë ndër të tjer Kristjana.

Nxënësit e gjimnazit “Anastas Çakalli” , përvec procesit mësimor, iu duhet ti pastrojne vetë ambientet  e brendshme dhe të jashtme shkollore pasi nuk ka pastruese.

Kejsi, nxënëse e vitit të tretë, thotë se gjithçka duhet ta bëjnë vetë. “Pagat e ulta të pastrueseve bëjnë që institucioni të mbesë pa ato. Jemi vetë ne, nxënësit, që ndërmarrim aktivitete vullnetare me fonde të vogla vetjake për të mbajtur pastër ambientin ku kalojmë një pjesë të mirë të ditës.

Zhvillimi i mësimit bëhet akoma më i vështirë gjatë muajve të dimrit.  Kjo për shkak të mungesës së ngrohjes.  Dritaret e thyera në të cilat depërton më shumë i ftohti dhe lagështira në muret e godinës janë gjithashtu probleme të cilat pengojnë zhvillimin normal të procesit mësimor dhe bëjnë që këto shkolla edhe pse janë në periferi të qytetit të braktisen me shpejtësi të madhe aq sa nuk duket e largët dita kur ato të mbyllen dhe nxënësve t’ju shtohen kostot për tu shkolluar në qytet. Anita është prind i një nxënësi në shkollën e mesme e cila ka zgjedhur ta çojë djalin në një shkollë qyteti. “U detyrova ta çoj. Jo se këtu mësuesit janë të këqinj. Ata janë shumë të mirë dhe këtu kam studiuar edhe unë që më pas vazhdova shkollën e lartë, por nuk ka kushte”. Këtu do mendosh lagështirën, muret e dëmtuara, banjot në gjendje të keqe dhe mungesa të tjera që domozdoshmërisht ulin nivelin e shkollës. Duke parë edhe prindër të tjerë që po bënin të njëjtën zgjedhje vendosa edhe unë që ta çoj në një gjimnaz qyteti. Jo se atje ka kushte më shumë por duke u larguar shumë nxënës bie dhe cilësia e shkollës” thotë ajo.

Një mësuese e shkollës që nuk dëshiron të identifikohet tregon se rënia ka ardhur vit pas viti dhe prindërit thonë gjithmonë se nëse do ishte investuar tek shkolla ata do të kishin zgjedhur  gjimnazin “Anastas Çakalli”. “Kjo është një shkollë me emër ku kanë studiuar shumë që sot janë drejtorë bankash, gazetarë dhe profesionistë të zottë por nuk u investua, u la në harresë dhe kemi ardhur deri këtu. Sigurisht që emigracioni ka bërë punën e vet por shkaku kryesor që po braktiset shkolla është mungesa e investimeve”.

Nga një verifikim i investimeve të kryera gjatë një viti në zonat rurale mësohet se mungojnë ndërhyrjet e plota në shkolla. Të vetmet ndërhyrje kanë qenë meremetimet e pjesshme. Aktualisht mbetet pa rikonstruksion dhe shkolla e vetme e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 në Tregan të Elbasanit. Nxënësit e kësaj shkolle vazhdojnë ta bëjnë shumë kilomentra për të mbërritur në shkollën e Kuqanit ku prej asaj kohe zhvillojnë mësimin.