Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka folur sot për vendimin për mbylljen e shkollave për tre ditë me arsyetimin e uljes së temperaturave në vend. Kushi ka mohuar se ka problem me ngrohjen nëpër shkolla, ndërsa shtoi se mbyllja ka ardhur për shkak të ngrirjes së depozitave të ujit si dhe rrugës që duhet të përshkojnë fëmijët.
“Shkollat i mbyllëm se ngrinë depozitat dhe ishte problem rruga e fëmijëve për në shkollë. Pak shkolla kanë problem ngrohjen në vend”, ka thënë Kushi, e cila duke komentuar infektimet nga COVID-19 në arsim, tha se janë 1100 mësues dhe 1600 nxënës me Covid-19.
Duke nisur nga sot, deri ditën e mërkurë, shkollat në të gjithë vendin do të qëndrojnë të mbyllura për shkak të temperaturave që do të ulen deri në -17 gradë celsisus. Qeveria ka vendosur që njëri nga prindërit me fëmijë të mitur të mund të qëndrojë në shtëpi, për shkak të mbylljes së shkollave. Është bërë e ditur se prindi që qëndron për tu kujdesur për fëmijët, nuk do të ketë pasoja administrative apo financiare. Ky lehtësim për prindërit do të bëhet në kuadër të ndërprerjes së procesit mësimor, nga data 24 deri në 26 janar. Orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë të Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, në rast se parashikimi i motit, pra që temperaturat do të shkojnë deri -17, nuk do të rezultojë i saktë dhe moti do i jetë më i ngrohtë, atëherë vendimi për mbylljen e shkollave do të rishikohet.
Ndërkohë, Partia Demokratike e cilësoi këtë si vendim gjysmak dhe të dështuar. Partia Demokratike kërkoi nga qeveria që të merrte një vendim ku njëri prej prindërve ta ketë të mundur të qëndrojë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët. Pas kërkesës së PD-së, qeveria doli me vendimin për qëndrimin e njërit prej prindërve në shtëpi.
