Policia e Pogradecit thotë se ka arrestuar një 27-vjeçar për “goditje për shkak të detyrës”, të një këshilltari bashkiak ditën e sotme gjatë mbledhjes.
Sipas policisë, Kevi Muçllari ka ofenduar dhe më pas ka qëlluar këshilltarin bashkiak Engjëll Shyti pasi ky i fundit votoi pro dhënies me qira të 34 hektarëve kullota në fshatin Çërravë për biznes privat të llojit park fotovoltaik.
Banorët e fshatit e kanë kundërshtuar këtë, duke thënë se ëshë një vendim kundër interesave të tyre.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin K. M., 27 vjeç, banues në Pogradec.
Më datë 10.11.2025, rreth orës 14:25, në ambientet e Bashkisë Pogradec, gjatë zhvillimit të një mbledhjeje nga Këshilli Bashkiak me prezencën e qytetarëve, ky shtetas fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit E. Sh., 47 vjeç, anëtar i Këshillit Bashkiak, duke e goditur me grusht.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.














