Autoritetet kibernetike kanë nxjerrë alarmin për një rritje të skemave mashtruese që synojnë qytetarët shqiptarë përmes telefonatave të rreme. Specialistët rekomandojnë që të mos jepen kurrë të dhëna personale dhe të refuzohen thirrjet që mund të vijnë nga hakerët.
Sipas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, telefonatat realizohen përmes internetit dhe identiteti i vërtetë i telefonuesit nuk mund të verifikohet. Shumë herë mashtruesit përdorin logo dhe emra të bankave, duke krijuar një iluzion besueshmërie. Ata gjithashtu mund të përdorin platforma online, email-e, rrjete sociale si Instagram, Facebook apo Gmail, si dhe të flasin në gjuhë të huaj për të bindur viktimat.
Ekspertët këshillojnë:
Mos jepni asnjë informacion personal ose të kartës bankare përmes telefonit.
Verifikoni çdo thirrje që pretendon se vjen nga banka duke përdorur kontaktet zyrtare të bankës.
Raportoni menjëherë çdo përpjekje mashtruese pranë bankës tuaj.
Ndërpritni menjëherë telefonatat që duket se janë të dyshimta.
Siç theksojnë specialistët, bankat asnjëherë nuk kërkojnë të dhëna të ndjeshme përmes telefonit, prandaj kujdesi dhe vëmendja e qytetarëve mbeten arma më e fuqishme kundër këtyre skemave mashtruese.













