Këtë të shtunë, në emisionin “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, ka qenë e ftuar kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, e cila u shpreh se platformat sociale janë jashtë juridiksionit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Ajo tha se institucioni nuk e ndan dot të vërtetën, pasi me këto gjëra merren organe të tjera si: gjykata ose prokuroria.
Orinda Huta: Sa i përket Web-it, rrjeteve sociale, platformave të këtij lloji, a i rregullon AMA këto, ka përgjegjësi për këta?
Armela Krasniqi: Në fakt janë jashtë juridiksionit të AMA-s. Hapi tjetër i radhës, që na e detyron ligji mbas transpozimit të direktivës, është edhe le të themi, një lloj sinjalizimi nga qytetarë apo…
Orinda Huta: Po ka video të ndryshme që hidhen nëpër rrjete.
Armela Krasniqi: Video të shumta që hidhen nëpër rrjete, nëse ato kanë gjuhë urrejtje, nëse kanë dhunë.
Orinda Huta: Është edhe ‘fake news’ në këtë rast, përballja me të. Sa e vështirë është për ta luftuar këtë, në një farë forme?
Armela Krasniqi: Institucioni nuk e ndan dot të vërtetën, në sensin që ne nuk jemi gjykatë, nuk jemi prokurori, ne nuk mund të themi se… ka shumë shpesh raste që na vijnë me dokumente, kjo është e drejta, e drejta qëndron nga ne, në fakt ka organe të tjera që e kryejnë këtë, ama mban parasysh balancën.
Gjithashtu, Krasniqi tregoi se nuk është dakord me mbylljen e rrjetit social TikTok, pasi kjo gjë mund të krijojë një efekt të kundërt.
Orinda Huta: Është duke u folur shumë për TikTok-un dhe mbylljen e tij kohët e fundit dhe për shkak të gjërave absolutisht të pakëndshme që ne shohim.
Armela Krasniqi: Si gazetare, si Armela, si njeri që kam jetuar në media mbi 25 vjet, do thosha që në fakt nuk jam dakord për mbylljen, pasi mendoj që çdo mbyllje krijon një efekt të kundërt. Megjithatë, jam shumë dakord me të gjitha nismat që janë duke u marrë në Parlamentin Evropian për rregullimin, që këto platforma të shpërndarjes së videove, të kenë kodet e tyre, të miratojnë kode etike brenda sipërmarrjes së tyre.
