Kryeministri Edi Rama ishte sot në Elbasan ku është takuar me nxënës të gjimnazeve të qytetit. Kreu i qeverisë dëgjoi problematikat e tyre, ndërsa theksoi se një pjesë janë adresuar.
Ai tha qeveria nga ana e saj po merr të gjitha masat për të bërë përmirësime, duke nisur sipas kryeministrit, që nga viti 2022. Kryeministri tha se kanë hartuar buxhet për laboratorët.
“Këshillimi i karrierës është i dobët. Në cdo takim e kam dëgjuar këtë. Këtu u përmend vlerësimi i nxënësve jo vetëm për çfarë thonë apo shkruajnë apo bëjnë provimet, por edhe për vullnetarizmin. Këtu u përmend çështja e laboratorëve, në çdo takim e kam dëgjuar. Më vjen mirë tu them që e kemi adresuar që tani, në buxhet kemi vënë një shumë të posaçme. Laboratorët rezultojnë në dispozicion në letër, por edhe në shkollë, por në shumë raste janë të pajisur në mënyrë shumë modeste dhe kur laboratorët janë të pajisur keq atëherë edhe mësimi nuk e ka atë impakt që mund të kishte.
Qysh në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojmë një investim për laboratorët. Por ministrja bashkë me njerëzit kanë filluar punën për përmbajtjen e laboratorit dhe të mësimit në laborator, që jo thjeshtë ta pajisim me një numër të madh gjërash.
Tjetër gjë që e kam dëgjuar kudo, është problemi i rasteve që janë jo të pakëta të mësuesve që japin lëndë teknike të rëndësishme deri te mësuesit e IT, që nuk janë të profilizuar në të fushë. Kjo duhet adresuar me urgjencë. Kemi vendosur një fond të veçantë për të ndryshuar komplet sistemin e lëndës së Informatikës.
Po kështu çështje e arteve dhe sporteve e kemi dëgjuar kudo. Në programin e qeverisë e kemi vendosur si objektiv.
Është shumë e vërtetë çfarë u tha se mungesa e një hapësire të mbushur me aktivitet jashtë shkollore.
Diçka u tha për mësuesinë. Ne i kemi dhënë shumë rëndësi mësuesisë. Nuk e shikoj si fushë ku nuk ka prespektivë. Kemi rritur kërkesën për nivelin e nxënësve që futen në mësuesi. Më parë më të dobëtit hynin për tu bërë mësues. Sot nuk është më kështu. Roli i mësuesit bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Mësuesi nuk është më një top futbolli, janë shumë më të respektuar. Sot rekrutimi i mësuesve është shumë më meritokratik. Mësues nuk bëhesh sot me mik dhe lekë sepse duhet të kalosh procesin e konkursit te portali. Por për fat të keq ka edhe raste abuzive. Mësuesve do ju rritet përsëri paga.
Na takon ne që ti përkthejmë në vendime këto nevoja, patjetër. Por vendimet për veten secili i merr vetë,” u shpreh ai.