Krujë/ Punëtorit të pikës së përpunimit të inerteve i bie të fikët, shtypet nga kamioni i tonazhit të rëndë, ndërron jetë në spital (emri)

Një aksident i rëndë me vdekje ka ndodhur paraditen e sotme rreth orës 12:30 në pikën e përpunimit të inerteve “Babasi 2” në Krujë.

Punëtori Lulzim Balla rreth 38 vjeç nga Fushë-Kruja është shtypur nga një kamion i tonazhit të rëndë në vendin e punës.

Sipas burimeve punëtori është ndjerë keq dhe është rrëzuar përpara kamionit që ka qenë duke lëvizur në pikën e grumbullimit të makinave të kompanisë së përpunimit të inerteve.

I aksidentuari është dërguar me urgjencë në spitalin e Krujës por ka ndërruar jetë si pasojë e dëmtimeve të rënda. Shoferi i kamionit është shoqëruar në polici dhe po punohet për sqarimin e rrethanave te ngjarjes.

Policia njofton se ambienti ku ndodhi aksidenti shërbente dhe si pike grumbullimi mjetesh, kryesisht për mjetet e kompanisë.

“Më datë 14.02.2024, në ambientet e një pike grumbullimi mjetesh (automjete/mjete pune), shtetasi B. L., duke drejtuar një mjet trajler, ka dëmtuar shtetasin J. B., 37 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë. Shtetasi B. L., është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.

Pronari i pikës rezulton Besnik Babasi të cilit më herëi është mbyllur gurorja me të njëtin emër pasi nuk dispononte dokumentet përkatëse për kryerjen e aktivitetit.

Lajmi në përditësim