Krijohet Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, ja cila është minstrja e më e re e kabinetit Rama

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin është ministria më e re e krijuar në vend. Kryeministri Rama i ka propozuar Presidentit Bajram Begaj që të miratojë emërimin e Adea Pirdenis në krye të kësaj ministrie. Kjo e fundit, prej 3 vitesh ushtron detyrën e zëvendësministres së drejtësisë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i vendit Edi Rama, i cili përmes një reagimi në rrjetin social “X” ka shkruar se Pirdeni ka spikatur me lidershipin dhe me profesionalizmin e saj në rolin e zv.kryenegociatores me Bashkimin Europian, si edhe në mbulimin e kapitullit madhor të Gjyqësorit e të Drejtave Themelore.

Kryeministri Rama shkruan se është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen.

Znj. Adea Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983. Ajo ka përfunduar studimet në drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, prej të cilit zotëron edhe një diplomë të studimeve Master në të Drejtë Publike. Në vitin 2014 ka fituar titullin Magister Juris (MJur) me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oksfordit dhe prej vitit 2016 mban titullin “Doktor në Shkencat Juridike” nga Fakulteti i Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës. Ajo ka kryer vizita studimore në kuadër të programeve të shkëmbimit pranë Universitetit Humboldt Berlin (Gjermani) dhe pranë Universitetit të Kansasit (ShBA).
Që prej vitit 2008, Znj. Pirdeni angazhohet si lektore me kohë të plotë pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në disiplinat e së Drejtës Kushtetuese, të Drejtës Kushtetuese të Avancuar, të Drejtës së BE dhe të Drejtës Administrative.

Fushat kryesore kërkimore të saj janë aspektet kushtetuese të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, integrimi evropian, si dhe reforma në drejtësi,
për hartimin dhe implementimin e së cilës ajo ka kontribuuar si Eksperte e Sekretariatit Teknik pranë Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.
Në vazhdën e eksperiencave profesionale, Znj. Pirdeni ka shërbyer ndër vite si trajnere e jashtme pranë Shkollës së Magjistraturës, Shkollës shqiptare të Administratës Publike.

Prej Shtatorit 2020, Adea Pirdeni shërben si Zëvendësministre e Drejtësisë e Shqipërisë, duke mbuluar në portofolin e saj kryesisht çështje të integrimit evropian si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 mbi “Gjyqësorin & të Drejtat e Njeriut”, antikorrupsionit dhe kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë.