Korridori VIII, që nis nga kompleksi portual Durrës–Porto Romano dhe shtrihet drejt Detit të Zi, është përfshirë zyrtarisht në planet e infrastrukturës kritike ushtarake të NATO-s. Ky zhvillim e njeh korridorin si një rrugë strategjike sigurie në funksion të mbrojtjes kolektive të Aleancës.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në përfundim të Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, të mbajtur në Bruksel.
Shqipëria, nyje strategjike në sigurinë euroatlantike
Sipas ministrit Vengu, përfshirja e Korridorit VIII në infrastrukturën prioritare të NATO-s përfaqëson një hap të rëndësishëm për pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë.
Ky vendim e vendos vendin në qendër të planeve rajonale të sigurisë dhe investimeve infrastrukturore që Aleanca pritet të intensifikojë në vitet e ardhshme, veçanërisht në drejtim të mobilitetit ushtarak dhe garantimit të reagimit të shpejtë në krahun lindor.
“Përfshirja e Korridorit VIII është rezultat i një pune disa vjeçare, të disiplinuar dhe të qëndrueshme. Është një arritje konkrete që e vendos Shqipërinë në zemër të planeve rajonale dhe të infrastrukturave prioritare të Aleancës”, deklaroi ministri Vengu.
Rëndësia strategjike e Korridorit VIII
Korridori VIII konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon, duke lidhur Adriatikun me Detin e Zi përmes një rrjeti rrugor, hekurudhor dhe portual. Përfshirja e tij në infrastrukturën kritike të NATO-s nënkupton rritjen e rolit të tij jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ky zhvillim pritet të sjellë vëmendje dhe mbështetje të shtuar për investime strategjike, duke forcuar më tej rolin e Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë euroatlantike dhe në garantimin e stabilitetit rajonal.














