Një konflikt i dhunshëm mes disa shtetasve në lagjen nr. 18 të Durrësit ka përfshirë përdorimin e armëve të zjarrit, kur një nga personat ka qëlluar në ajër me kallashnikov. Policia ka ndërhyrë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e ngjarjes dhe ka identifikuar autorët. Dy prej tyre, shtetasit Hamdi Llana dhe Klajdi Senko, janë shpallur në kërkim.
Në vijim të hetimeve, Policia ka arrestuar tre persona të lidhur me këtë ngjarje:
🔹 Gentian Zeneli, 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
🔹 Spiro Shore, 38 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.
🔹 Jolanda Zeqiri, 26 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka nisur për motive të dobëta mes shtetasve Hamdi Llana dhe Klajdi Senko, të cilët kanë goditur me sende të forta shtetasin Gentian Zeneli dhe më pas kanë qëlluar në ajër me armë zjarri për ta kanosur.
Policia po vazhdon punën për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.













