Dy të dyshuar në kërkim, Policia dhe Prokuroria nisin hetimet
Shijak – Një konflikt i ndodhur mbrëmjen e së dielës në lagjen Kodër Shijak ka përfunduar me plagosjen e një personi me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 22:30, shtetasit I. F., 38 vjeç dhe D. F., 35 vjeç (kushërinj), janë konfliktuar me shtetasin D. Ç., 45 vjeç. Gjatë përplasjes, 45-vjeçari është plagosur me armë zjarri dhe është transportuar në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë kanë ndërmarrë kontrolle intensive për kapjen e dy shtetasve të dyshuar, të cilët janë larguar nga vendngjarja pas incidentit.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e shkakut të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të çështjes.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet po vazhdojnë dhe informacioni do të përditësohet në vijim.













