Katër derra të egër që janë gjetur të ngordhur nga shoqata e gjuetarëve, dy në Pusin e Thatë dhe dy në Morinë vunë në lëvizje shërbimin veterinar në Kukës e Has.
Pas inspektimit në terren, mostrat e marra u dërguan për analiza në Institutin e Veterinarisë, nga ku rezultuan të prekur nga murtaja e derrit.
Drejtori i Shërbimit veterinar Bajram Peposhi, është shprehur se u zbatuan protokollet përkatëse për asgjësimin e tyre.
Peposhi deklaroi më tej se rastet në Pusin e Thatë dhe Morinë ishin të parat e shfaqjes së kësaj sëmundjeje në vendin tonë, ndërkohë që vendet kufitare të rajonit, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi e kanë të pranishme prej një viti.
Në Kukës vitet e fundit është rritur ndjeshëm shtimi i tufave të derrave të egër pothuajse në të gjithë territorin e zonave të mbrojtura të qarkut, kjo falë edhe masave shtrënguese siç ishte moratoriumi i gjuetisë.
Çobani Besmir Thaqi nga fshati Domaj i Hasit tregon se ndonëse në këtë zonë ka shumë derra të egër nuk përbëjnë rrezik për dhitë dhe delet. Shqetësim për të do të përbënte nëse murtaja do të ishte ngjitëse.