Shoqatat ne mbrojtje të gazetareve dënojnë dhunën e Ramës ndaj Ambrozia Metës

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi pas dhunës së kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Ambrozia Meta. Kjo nuk është hera e parë që ai përdor dhunë verbale ndaj Ambrozia Metës.

UGSH në reagimin e tyre shprehet se refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u shoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cënim të etikës, deri në cënim të integritetit fizik të gazetares.

Reagimi i Keshillit Shqiptar te Medias

Këshilli Shqiptar i Medias dënon me forcë sjelljen e Kryeministrit Rama në konferencën e sotme për shtyp, ku Kryeministri, pasi iu shmang pyetjeve të gazetares Ambrozia Meta, bëri një xhest të shëmtuar e intimidues, duke tentuar ta prekë në fytyrë gazetaren.

Kryeministri shqiptar duhet të kuptojë që nëse pyetjet e gazetarëve janë etike apo jo, nuk janë në tagrin e tij për ta përcaktuar. Detyra e Tij kushtetuese është që t’i përgjigjet pyetjeve që i bëhen nga gazetarët, në emër të audiencës së tyre dhe të interesirt publik, në kuadër të parimeve të transparencës dhe llogaridhënies që mbështesin një shoqëri demokratike.

Kryeministri shqiptar duhet të kuptojë që nuk ka pyetje të gabuara apo pyetje jo-etike, të gabuara ose jo-etike janë fyerjet që ai bën ndaj gazetarëve, me termat “padije” dhe “injorancë”. Këto përgjigje përbëjnë një agresion verbal që krijon një kulturë frikësimi ndaj gazetarëve për të bërë pyetje.

Refuzimi publik i Kryeministrit për të kërkuar falje pas këtij agresioni ndaj gazetares Meta, publikuar në platformën X, është një argument më shumë pse liria e shtypit në Shqipëri është në nivelet që paraqitet në të gjitha raportet ndërkombëtare.

KSHM, vëren me shqetësim që për sa kohë qasja e zyrtarëve publikë ndaj pyetjeve të gazetarëve është në standartin e mbartur nga Kryeministri shqiptar, kushtet për liri të medias e për gazetari të lirë, sa vijnë e minimizohen.

 

 

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik, zoti Kryeministër!

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj replikave të Kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta, e cila në të drejtën e vet profesionale këmbëngulte për një përgjigje konkrete prej kryeministrit, në konferencën për shtyp me gazetarët në datën 19 Mars 2024.

Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njerit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar.

Refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u bashkëshoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cenim të etikës, deri në cenim të integritetit fizik të gazetares.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtij momenti dhe shpreh solidaritetin me kolegen Meta, e cila spikat si reportere kurajoze në kërkim të fakteve dhe të dhënave që synojnë transparencë publike dhe llogaridhënie prej qeverisësve.