TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili kishte kërkuar më herët heqjen e sekuestros nga një llogari bankare. Kërkesa e cila u shqyrtua nga gjyqtari Erjon Bani, u rrëzua poshtë.
Ahmetaj u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe nga arratia deklaroi se po qëndronte tek vajza në Angli.
PËRSE AKUZOHET AHMETAJ?
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit.












