Kërcënoi me shufër hekuri grupin e xhirimit, Policia arreston 64-vjeçarin dhe procedon 70-vjeçarin

Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me ngjarjen e bërë publike një ditë më parë ku grupi i xhirimit të televizionit informativ Ora News u përballën me një situatë të paprecedentë, ku një shtetas i kërcënoi me jetë.

Ngjarja u regjistrua në fshatin Zbarqe të Tiranës, ku shtetasi Sinan Hamdi Idrizi i cili ishte duke kryer punime pa leje te burimi i ujit, kërcënoi me një shufër hekuri gazetarin, operatorin dhe shoferin e televizionit.

Menjëherë pas denoncimit që këta shtetas bënë pranë Policisë së Tiranës, autoritetet ndërmorën masa ku dhe bënë të mundur arrestimin e 64-vjeçarit.

Nga hetimet rezulton se Idrizi i cili ishte punonjës i një 70-vjeçari po kryente punime me kërkesë të këtij të fundit në një pikë ku buronte uji. Në vijim të procedurave hetimore, blutë bënë të mundur marrjen e masave edhe për shtetasin për llogari të të cilit punonte 64-vjeçari.

“Më datë 11.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin për llogari të të cilit punonte 64-vjeçari, R. P., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprat “Shpërdorimi i tokës”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”, pasi dyshohet se ka hapur një burim uji (pus), pa leje, si dhe se ka kryer gërmime në mënyrë të kundërligjshme, për hapjen e një rruge”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Kujtojmë se grupi i xhirimeve ishin duke realizuar një kronikë në fshatin Zbarqe të Tiranës ku dhe u përballën me këtë situatë të paprecedentë. Ata ishin duke përgatitur një material pas një denoncimi të bërë prej banorëve në lidhje me dëmtimin e një burimi ujor historik të komunitetit, i cili prej brezash kishte shërbyer për furnizimin me ujë të zonës.

Njoftimi i plotë:

Tiranë

Kanosi gjatë ushtrimit të detyrës, një grup xhirimi, kapet në një terren të thepisur, pak minuta pas kallëzimit të 3 shtetasve, dhe vihet në pranga 64-vjeçari.

I arrestuari kryente punime pa leje te burimi i ujit, ku grupi i xhirimit do të realizonte kronikën.

Pardje, Policia e Tiranës inicioi procedim penal për shtetasin që kishte punësuar 64-vjeçarin, për shpërdorim të tokës, ndërtim të paligjshëm dhe shkatërrim të rrjetit të ujitjes.

Pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të 3 shtetasve, me detyra përkatëse gazetar, operator dhe drejtues automjeti, në televizionin Ora Neës, se gjatë realizimit të një kronike mbi problematikat me një burim uji (pus) në fshatin Zbarqë, Tiranë, ishin kanosur për jetën, nga një shtetas që kryente punime te ky burim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan autorin e dyshuar të rastit, shtetasin S. I., 64 vjeç.

64-vjeçari u kap pak minuta pas kallëzimit të grupit të xhirimit, në zonën malore të fshatit Zbarqë.

Gjatë kontrollit të banesës së 64-vjeçarit, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë gjahu pa leje, municion dhe një armë e ftohtë( shufër metalike).

Më datë 11.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin për llogari të të cilit punonte 64-vjeçari, R. P., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprat “Shpërdorimi i tokës”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujitjes”, pasi dyshohet se ka hapur një burim uji (pus), pa leje, si dhe se ka kryer gërmime në mënyrë të kundërligjshme, për hapjen e një rruge.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Tiranës garanton gazetarët dhe përfaqësuesit e medias, se është maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar me ta, me qëllim trajtimin e menjëhershëm dhe prioritar, të çdo indicieje për cenim të së drejtës së tyre kushtetuese për të ushtruar detyrën në shërbim të interesit publik.